Muhamed Broja
Kthehu te shkrimet

Optimizmi dhe Koncepti i Keqkuptuar

Edukim
Dr. Muhamed Broja|
Optimizmi dhe Koncepti i Keqkuptuar

Jeta e njeriut është plot sprova e mynxyra. Muslimani mund të përjetojë dëme të shumta që i vijnë nga njerëzit dhe armiqtë si: keqtrajtime, persekutime, burgosje, syrgjynosje, vrasje të padrejta e shfarosje të familjeve si pasojë e masakrave masive. Mbase shpeshherë nuk mund të ketë mundësi ta marrë hakun e tij në këtë dynja dhe të arrijë tek drejtësia për shkak të standardeve të shumëfishta dhe padrejtësive.

Këto sprova nuk i përfshijnë vetëm masën e gjerë por edhe njerëzit e përzgjedhur.Pejgamberët, Jahja dhe Zekeria, u vranë nga populli i tyre. Disa të tjerë u dëbuan, sikurse Ibrahimi, alejhi selam, kur u largua nga Levanti, apo Profeti ynë (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) kur u largua nga Meka.

Disa popuj tentuan t’i vrisnin e t’i digjnin pejgamberët që ishin dërguar tek ta sikurse vepruan me Ibrahimin alejhi selam kur e hodhën në zjarr, me Isain alejhi selam kur tentuan ta vrisnin dhe ta kryqëzonin, me Muhamedin alejhi selam kur vendosën ta vrisnin.

Shumë urtësi fshihen pas këtyre ngjarjeve e që mendja e njeriut nuk mund t’i përceptojë dot.

Këtu lind pyetja e ngritur nga Imam Taberiu¹, dhe nga një numër dijetarësh pas tij:

A nuk ka thënë Allahu në librin e Tij:

إِنَّا لَنَنْصُرُ رُسُلَنَا وَالَّذِينَ آمَنُوا فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَيَوْمَ يَقُومُ الْأَشْهَادُ

“Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.” ²

وَلَقَدْ سَبَقَتْ كَلِمَتُنَا لِعِبَادِنَا الْمُرْسَلِينَ إِنَّهُمْ لَهُمُ الْمَنْصُورُونَ

“E tashmë fjala (premtimi) e jonë u është dhënë më parë robërve tanë të dërguar, se ata, pa dyshim do të jenë të ndihmuar.” ³

Ku është kjo ndihmë dhe si mund të kuptohet ajo? Përgjigjja është se premtimi i Zotit nuk thyhet kurrë dhe ndihma e Zotit zbret mbi profetët dhe mbi robërit e Tij besimtarë edhe në këtë botë.

Shumica e njerëzve e kuptojnë ndihmën e Allahut duke u nisur vetëm nga aspekti i nënshtrimit të drejtpërdrejtë të armiqve dhe ngadhnjimit ndaj tyre. Kjo ndodhi me të vërtetë me Davudin, Sulejmanin dhe Muhamedin alejhim selam që posedonin pushtet dhe i korrën rezultatet e ngadhnjimit gjatë jetës së tyre. Por ndihma e Allahut nuk duhet kufizuar vetëm në këtë dimension. Ajo mund të marrë forma të tjera që shumica e njerëzve nuk i kanë parasysh.

Mund të jetë me shkatërrimin e popujve të profetëve si ndëshkim për përgënjeshtrimin dhe luftimin e tyre siç ndodhi me Nuhin alejhi selam dhe popullin e tij, me Musaun alejhi selam, Faraonin dhe ithtarët e tij. Mund të jetë me hakmarrje ndaj armiqve të profetëve dhe njerëzve të mirë pas vdekjes së tyre, siç ndodhi me Jahjanë alejhi selam.⁴ Mund ta ketë kuptimin edhe të ngadhnjimit të fesë.⁵

Martirizimi dhe rënia dëshmor nganjëherë konsiderohet prej shkaqeve të ngadhnjimit të personit të caktuar dhe thirrjes së tij. Realiteti i të kaluarës dhe i së tashmës e vërteton këtë. Si dëshmi e gjallë mund të përmendet tregimi i të zotëve të hendeqeve (As’habul Uhdudi).⁶ Martirizimi i djaloshit ishte shkak i triumfit të fesë dhe hyrjes së njerëzve në të në mënyrë masovike. Nganjëherë pikënisja e fitores së dikujt fillon me burgosjen, keqtrajtimin dhe cenimin e nderit të tij.

Qëndrueshmëria e njeriut në parimet e tij, pavarësisht dëshirave, dyshimeve dhe pengesave konsiderohet një fitore më vete. Ibrahimi alejhi selam kur u hodh në zjarr ishte në kulmin e fitores së tij. Poashtu, Imam Ahmedi me këmbët e prangosura, Bilali, derisa po torturohej dhe përsëriste “Ehad Ehad”, familja e Jasirit (Amarit, babait dhe nënës së tij) , Allahu qoftë i kënaqur me ta, të gjithë këta përderisa vuanin dhe persekutoheshin ishin në kulmin e fitores së tyre.

Nganjëherë kur sprovat e arrijnë kulmin e tyre, kur skamjet e vuajtjet i godasin njerëzit, kur shikimet shtangen, zemrat arrijnë në fyt, e njerëzit sajojnë mendime të llojllojta për Allahun dikush gati sa nuk e humb shpresën dhe thotë: “Kur do të jetë ndihma e Allahut?” , mu atëherë në momentet kritike vjen ndihma e Allahut.⁷

Muslimani nëpërmjet meditimit të Kuranit, Sunetit të saktë dhe jetës së sahabëve arrin t’i kuptojë drejt konceptet e ndihmës dhe fitores dhe asnjëherë nuk do ta përshkojë pesimizmi edhe pse nganjëherë aktualiteti i zymtë ndikon që të lëkundet. Sidoqoftë ai është i bindur se fitorja e vërtetë është nesër në ditën e Kijametit.

1-Shih Tefsirin e tij 20/342

2- Surja Gafir:51.

3-Surja Saffat171-172.

4-Shih: Tefsirin e Taberiut 20/342-343 dhe Tefsirin e Begaviut 7/152.

5-Tefsiri i Ibn Ebi Hatim 10/3267.

6-Tregimi është përmendur në Suren Buruxh ajetet nr 4-11.

7-Medito ajetet në suret : El Bekare 214, Ahzab 10, Jusuf 110.